KUR DIÇKA NDRYSHE QARKULLON MEDIA SHPESH "VJEN PAS".
Emisioni" Ora Poetike" me Mozën dhe Sandrin nga valët e Radio Shkëlzenit, çdo të mërkurën 19.00-21.00 është një emision i pavarur, i gjallë dhe kritik,me vlera letrare-artistike, kulturore dhe historike edhe pse ende është jashtë vëmendjes institucionale dhe mediave përkatëse.
Ora Poetike është përpara kohës së vet, ai është një arkiv kulturor (video, këngë, kritikë, diskutime dhe kujtime). Ky emision falë përkujdesit të moderatorëve të saj Mimoza Hoxha Agastra dhe Aleksander Shallvari lidh breza autorësh të ndarë nga jeta dhe poetë aktivë. Poezia trajtohet, interpretohet e kritikohet,jo si relike, as dekor, por si një akt i gjallë, frymë e shpirt i kohës . Audienca e emisionit është një audiencë organike, e qëndrueshme dhe e ndërgjegjshme,jo e imponuar.
Ora Poetike është një platformë kulturore dixhitale,është një arkiv i poezisë shqipe bashkëkohore, është një format inovativ i kritikës dhe interpretimit poetik.
Jemi në epokën dixhitale me të mirat dhe të ligat e saj dhe dimë që Media funksionon me klikime, jo me përmbajtje, cilësi dhe vlera.Shumica e mediave, jo të gjitha, ndjekin ekonominë e vëmendjes,sepse skandalet, jeta private,krimi prodhojnë reagim të shpejtë.
Poezia kërkon kohën e vet, mendimin dhe heshtjen,reflektimin dhe kritikën.Shumë ,jo të gjitha institucionet reagojnë kur ka aktivitete si ceremoni, çertifikata,fonde për t'u shpërndarë.
Ora Poetike për dy vjet rresht po ndërton një punë serioze kulturore , me standart profesional , ndërtuar me përkushtim dhe dashuri për artin e fjalës.
Pavarësisht këtyre vlerave vihet re një mungesë e theksuar reagimi, vëmendjeje dhe mbështetje nga institucionet shtetërore të kulturës,nga mediat kulturore dhe publike, si dhe strukturat akademike përkatëse.
Kjo heshtje ngre pyetje të rëndësishme:
A konsiderohet ende kultura e gjallë si pjesë e interesit publik?
A ka hapësirë për poezi, kritikë dhe mendim estetik në diskursin mediatik? (nuk po përmend heqjen e poezisë nga marrja e çmimit).
A vlerësohen iniciativa të pavarura që nuk burojnë nga skemat e ngurta, por nga nevojat reale kulturore?
Letërsia, arti, kultura , poezia në veçanti është një proces i vazhdueshëm reflektimi,dialogu dhe ndërgjegjësimi shoqëror .
Platforma dixhitale Ora Poetike e mbajnë gjallë këtë proçes dhe meritojnë vëmendje, dialog dhe mbështetje morale e institucionale.
Ky shkrim nuk është një ankesë, por thirrje për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim, për t'u njohur puna e përkushtuar e kësaj platformë,të rishikohet mënyra se si kultura dhe poezia përfaqësohen në hapësirën publike. Të hapen udhë komunikimi me platformat kulturore të pavarura.
Suksese Ora Poetika !
Teuta Sadiku