Nga libri i autores Rajmonda Maleçka “Portrete Letrarësh e Artistësh”
DIBRAN FYLLI - Në universin e pushkës, penës dhe artit.
Portret letrar-kritik mbi jetën, krijimtarinë dhe dëshminë historike
PJESA E PARË
Dibran Fylli është një nga ata personalitete, rrugëtimi jetësor i tij nuk mund të kuptohet përmes një profesioni apo një fushe të vetme veprimtarie.
Jeta dhe krijimtaria e tij janë ndërtuar në pikëtakimin e historisë, artit, angazhimit kombëtar dhe dokumentimit të kujtesës. Ai i përket një brezi që nuk e ka përjetuar historinë vetëm si rrëfim të të tjerëve, por është gjendur drejtpërdrejt brenda saj, duke marrë pjesë në ngjarje që kanë përcaktuar fatin e Kosovës dhe duke u përpjekur më pas t'i ruajë ato përmes fjalës, imazhit dhe veprës artistike.
Në profilin e tij ndërthuren disa identitete: krijuesi letrar, regjisori, aktori, dokumentuesi, veprimtari dhe luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto dimensione nuk përbëjnë pjesë të shkëputura të një biografie, por një tërësi përvojash që kanë ndikuar në formimin e tij njerëzor dhe artistik. Për këtë arsye, portreti i Dibran Fyllit kërkon një vështrim të gjerë, i shndërruar në krijimtari, dokumentim dhe veprimtari kulturore-artistike.

I lindur më 29 shtator 1956 në Açarevë të Skënderajt, Dibran Fylli vjen nga një hapësirë me traditë të thellë historike dhe me një kujtesë të veçantë të qëndresës shqiptare. Drenica, përmes historisë së saj, ka krijuar një univers simbolik ku fjala, besa, sakrifica dhe liria janë pjesë e pandashme e identitetit. Në këtë mjedis u formua edhe ndjeshmëria e tij ndaj çështjeve kombëtare, ndaj historisë dhe ndaj rolit që kultura mund të luajë në jetën e një populli.
Pas përfundimit të shkollimit fillor në vendlindje dhe të mesëm në Mitrovicë, rrugëtimi i tij arsimor e çoi drejt Lubjanës, ku studioi në Akademinë për Teatër, Radio, Film dhe Televizion, në drejtimin e regjisurës. Ky formim profesional do të bëhej një nga themelet e veprimtarisë së tij të mëvonshme. Regjia është një art që kërkon jo vetëm njohjen e gjuhës së imazhit, por edhe aftësinë për të kuptuar njeriun, konfliktin, kohën dhe marrëdhëniet ndërmjet realitetit dhe përfaqësimit artistik. Pikërisht këto elemente do të shfaqeshin në mënyra të ndryshme në filmat, dokumentarët dhe veprat e tij letrare.
Gjatë qëndrimit në Slloveni, Fylli u angazhua edhe në jetën kulturore të mërgatës shqiptare, duke qenë pjesë e Shoqatës „Migjeni“ dhe revistës „Alternativa“ në Lubjanë. Ky angazhim dëshmon se formimi i tij nuk ishte vetëm akademik, por edhe kulturor e kombëtar. Kthimi në Kosovë më 1993 shënoi një etapë të re, në të cilën njohuritë profesionale do të viheshin në shërbim të një realiteti të rënduar politik dhe shoqëror.
Por jeta e Dibran Fyllit nuk do të zhvillohej vetëm në hapësirën e artit. Me organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai u rreshtua në radhët e para të saj, duke u bërë pjesë e një periudhe vendimtare të historisë së Kosovës. Ai ishte udhëheqës i njësitit „Shkoza 2“ në Açarevë dhe pjesëmarrës në Njësitin për Intervenim të Shpejtë të Brigadës 113 „Mujë Krasniqi “. Më 8 maj 1998 u plagos në Llapushnik, një nga hapësirat e rëndësishme të përballjeve të asaj kohe.
Kjo përvojë do të mbetej një pikë referimi në jetën e tij, duke ndikuar edhe në drejtimin e mëvonshëm të krijimtarisë. Fylli e ka përjetuar luftën si pjesëmarrës, por njëkohësisht është përpjekur ta ruajë atë përmes dokumentimit, fotografisë, filmit dhe shkrimit. Kjo ndërthurje i jep profilit të tij një dimension të veçantë: krijuesi nuk e vështron historinë vetëm nga distanca, por e njeh edhe përmes përvojës së drejtpërdrejtë. Një nga kontributet më të rëndësishme të Dibran Fyllit në këtë periudhë është themelimi i Trupës Artistike Ushtarake „Hamëz Jashari“. Në fillim të shkurtit 1999, në Likofc, në kuadër të strukturave të UÇK-së, u krijua kjo trupë, e cila do të kishte një funksion të veçantë kulturor dhe shpirtëror. Dibran Fylli si themelues dhe drejtues i Trupës Artistike "Hamëz Jashari" do bashkonte njerëz të artit, aktorë, këngëtarë, instrumentistë dhe recitues, të cilët në rrethana lufte e shihnin veprimtarinë artistike si një mënyrë për të mbajtur gjallë moralin, për të përcjellë mesazhe qëndrese dhe për të ruajtur lidhjen e popullit me vlerat e tij kulturore.

Kjo përvojë është me rëndësi të veçantë edhe në aspektin e historisë së artit shqiptar. Ajo dëshmon se arti nuk e humb funksionin e tij në kohë lufte. Përkundrazi, në rrethana të jashtëzakonshme ai mund të marrë një përgjegjësi të re: të bëhet mbështetje morale, kujtesë dhe shprehje e identitetit të një kombi. Kultura nuk ishte një luks i kohës së paqes, por një formë e qëndresës shpirtërore. Përmes saj përcillej mesazhi se një popull që lufton për liri nuk mbron vetëm tokën, por edhe gjuhën, kujtesën, traditën dhe dinjitetin e vet.
Në këtë kontekst merr kuptim edhe programi artistik „Ai është i gjallë“, i organizuar më 6 mars 1999 në nderim të Kryekomandantit Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Në rrëfimin e tij historik të botuar në Radio Kosova e Lirë, Fylli shpjegon se pas themelimit të trupës paraqiti skenarin për manifestimin përkujtimor, i cili përfshinte elemente ushtarake, ceremoniale, muzikore, recitative dhe skenike. Pjesa përmbyllëse mbante titullin „Ai është i gjallë“, një shprehje që përmes gjuhës së artit përcillte idenë e vazhdimësisë së kujtesës dhe të pranisë së dëshmorëve në ndërgjegjen e popullit.
Në zhvillimet e mëvonshme, kjo veprimtari u lidh me manifestimin „Ditët e Përndritjes“ dhe më pas me „Epopenë e UÇK-së“. Sipas kronologjisë që paraqet vetë Fylli, manifestimi u zhvillua në etapa të mëvonshme dhe në janar të vitit 2001 mori emërtimin „Epopeja e UÇK-së“. Ky rrëfim është një burim me rëndësi për studimin e historisë së manifestimit dhe të rolit të Trupës Artistike Ushtarake.
Nesër vazhdimi i pjesës së dytë