DHETË VJET LIDHJE
Nga: Profesor Ndue Shabaku
Me delikatesën sikur po përkujdesej për një të porsalindur, instrumentisti sistemoi në mjetin e rrugëtimit violinën. Mënyra si e shikonte dhe si e vendoste instrumentin në postin që i jepte sigurinë, tregon me çfarë ndjesie artisti ka ardhur nga zemra e Shqipërisë Elbasan në qytetin Brescia të veriut të Italisë. Në Nocciano të rajonit Abruzo u hodh baza e urës së bashkëpunimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali me entet artistike të Elbasanit. Rasti e solli që ata të bashkëpunojnë me ne me rastin e festimit të dhjetëvjetorit të krijimit të Lidhjes. Enkas erdhi një skuadër në dukje e qetë, por me zjarrin shpërthyes brenda.
Udhëhiqnin skuadrën Drejtori i Zhvillimit të Kulturës dhe Çështjeve Sociale të Qarkut Elbasan Bledi Gremi, Drejtori i Artit dhe Kulturës së Bashkisë Elbasan, Kliton Kapaj, përfaqësuesit e shoqatës “Kujtesë për vazhdimësi”, Petrit Hodo dhe Xhimi Vila, Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë, Artur Guni.
U shfaqën të rreshtuar në skenë orkestra e përbërë nga Enriketa Peni, violonë, Adem Balliçi, violinë, Desart Shmili, violinçel, Mirjan Sulovari, fizarmonikë e perkusion, Arbër Çerri, kitarë, Ilirian Zdrava, kitarë, dhe Tzeni Soulkovski.
Kapiteni “arrogant” i orkestrës, violinisti virtuoz Zeqir Sulkuqi dirgjoi dhe prezantoi ato që kishin përgatitur për të zbukuruar ditëfestën e 10-vjetorit të krijimit të Lidhjes sonë. Ritmi i gjallë e intensiv i pjesëve orkestrale, me tone sa gazmore, aq shpërthyese rrëmbyen të pranishmit. Vivaldina, Çardash, Zingarela, por edhe të gjitha vallet e pjesët e interpretuara të autorëve të huaj edhe tanët patën impakt të fortë tek spektatori.
Shpesh herë fati të shpërblen aq shumë, sa vihesh në dyshim a e meriton vërtetë mrekullinë. Mrekullinë që të kesh në skenë para syve e në linjë me dëshirat e papërmbajtura këngëtarë të kalibrit si Kastriot Tusha dhe Ulpjana Aliaj.
Tenori me bukuri zëri të rrallë, me përgatitje profesionale tepër të kualifikuar, me autoritetin e përmasat e artistit me popullaritet të pallogaritshëm, Kastriot Tusha, solli për ne këngë në italisht dhe në shqip. I dinim të gjithë gati përmendësh këngët dhe u munduam të bashkojmë zërat me të tijin.
Gjithnjë nën shoqërimin e orkestrës tepër simpatike, solemnitetin dhe bukurinë me shije të rrallë artistike solli prania në skenën tonë e sopranos Ulpjana Aliaj.
Në momente të alternuara interpretoi me zërin e bukur e talentin kristalin dy fragmente të Baccio dhe Romeo e Xhuljeta. Aq të bukura ishin edhe këngët në duet nga dyshja e ëndrrave tenori Kastriot Tusha dhe sopranoja Ulpjana Aliaj. “Si dukat i vogël je” dhe “Lule Borë”, që janë këngë antologjike në fondin e artë të këngës shqiptare, të interpretuara nga kjo dyshe me vlera të cilësuara, provokojnë përjetime e ndjesi të veçanta tek adhuruesit e këngës. Bukuri e shije u dhanë interpretimeve të tyre vallet e fluturave të shkollës shqipe “Mësonjëtorja” në Brescia. Një vlerësim të veçantë si Lidhje i atribuojmë kompozitorit të palodhur Aleksandër Kolshi, i cili me profesionalizmin e dinamizmin e tij mundësoi realizimin e koncertit dhe gjithë aktivitetit.
E veçantë paraqitet si përherë,Stilistja dhe e apasionuara e kostumeve popullore nga shumë treva të Shqipërisë, Nereida Xhakolli, jo vetëm me veshjen e saj por dhe me atë të prezentatuesëve të aktivitetit.
E fillova nga fundi, pasi institucioni i mikut për shqiptarin është shenjtë. Në rastin tonë, nderimet për ta janë gjithmonë pak, sepse dhjetëvjetorin e festuam me një dhjetë me shumë yje.
Para koncertit festiv, u zhvillua një ceremoni tepër e bukur me paradë artistësh, me oratori, me përshëndetje, me fjalime me prezantime e nderime. Ndezi situatën festive këngëtari i famshëm Kastriot Tusha me himnet kombëtare të vendit ku jetojmë dhe kombit tonë. Prezantuesit Mimoza Leskaj, Lori Duka, Andrea Znachetta ftuan të përshëndesin zonjën Anila Pojani, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Nga Bashkia e qytetit Elbasan solli përshëndetjet Drejtori i Artit dhe Kulturës, Kliton Kapaj, i cili vlerësoi shumë arritjet artistëve në Itali dhe rëndësia që ka bashkëpunimi për zhvillimin dhe promovimin e artit e kulturës. Me shumë emocion solli kujtimet e tij Presidenti themelues i lidhjes Tonin Nikolli. Fillimet e lëvizjes kulturore, themelimi i Lidhjes dhe ecuria në vite kanë lenë shenja të pashlyera.
- Unë jam një gjethe. Ndërsa zemra e vërtetë e Lidhjes sonë ka qenë dhe është sekretarja historike Lori Duka, - tha poeti i kuotuar, ndoshta, edhe si kalim i stafetës në dorën e rinisë.
Përshëndeti me respekt për lidhjen Ambasadori i Kombit dhe mbartësi i titujve më të lartë që atribuohen nga shteti italian dhe Vatikani, Komendatori Petrit Kozeli.
Pati dhe përshëndetje të tjera direkt nga salla dhe me videomesazh.
Një sintezë të ngjarjeve kryesore që karakterizuan jetën e Lidhjes, të aktiviteteve të përkohshme e të përhershme, të angazhimeve të anëtarëve, aktivistëve, këshilltarëve, drejtuesve e gjithë artistëve që bashkëpunuan gjatë kësaj dekade, referoi Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, Skender Lazaj.
E kush tjetër më shumë se kënga, zbukuron një festë. E kush e nderon festën sa anëtarja e nderit e Lidhjes, sopranoja Anila Gjermeni! Është realiteti më cilësor i Lidhjes sonë. Ajo di të zotërojë plotësisht skenën me zërin e ëmbël, me bukurinë dhe finesën e interpretimit. Ajo di ta përcjellë këngën me mjeshtri dhe të depërtojë tek dëgjuesit.
Në gjuhën italiane interpretoi artisti elegant Neptun Gjata. Me zërin tepër të bukur, përcjell tonalitetin e gjallë të këngës italiane. Veçse ka ruajtur prej 600 vjetësh rrënjët e gjuhës arbreshi Mimmo Imbrogno. Me kitarën e tij mitike doli në skenë dhe këndoi dy këngë që publiku i di përmendësh. Kësaj feste i dhanë dinamizëm, freski e bukuri skuadra e prezantimit. Piktori tiranas Andrea Zanchetta Tufina veç punës së madhe si organizator, angazhimeve për përgatitjen e targetave, me simpatinë e tij i dha ngjyrë e freski prezantimit, duke rreshtuar me mjeshtret e prezantimit, Mimoza e Lori. Fjalë përgëzuese meritojnë edhe Arjeta Previzi e prof.. Rajmonda Mara, që punuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. Falënderojmë vajzat shqiptare Romina Shoraj e Samira Tafa që fiksuan në foto gjithë aktivitetin. U ndiem mirë nga prezenca e disa të ftuarve që erdhën për herë të parë. Kemi ndier ngrohtësinë e pjesëmarrjes së shoqatës "Besëlidhja" me presidenten e re Luljeta Cereku; Associazione Comunità Albanese in Italia; përfaqësuar nga presidenti Ahmet Bendo, shoqata “Shqiponja”, Reggio Emilia, me një skuadër të bukur me President Haki Maze; Qendra Kulturore “Margarita Xhepa”, përfaqësuar nga Drejtori i saj Hasan Bulçari; shoqata “Alba” e përfaqësuar nga sekretari Dedin Paci; Shoqata “Rinia” e përfaqësuar nga presidenti Erio Korani; shoqata "Ura" Novara, përfaqësuar nga shkrimtarja Mimoza Selmani e prof Eglantina Delia Likaj; Centro Culturale ODA, përfaqësuar nga drejtuesit Gezim Guga Edmir Cekrezi, prof. Admir Plaka; shoqata “Arbëria", shoqata “Shqiponja" Valle Camonica, përfaqësuar nga presidenti Jasin Dauti; shkolla “Mësonjëtorja” përfaqësuar nga mësuesit Santiliano Aliaj, Amantia Qeveri. Silvana Tika.
Gjithashtu përshëndesim me adhurim të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë të artistëve tanë që investojnë gjithçka për publikun.
Përgatiti: Angela Kosta, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese