Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
KOSOVËN E LIRË DO TA GËZOJMË TË GJITHË
Sanije Hyseni,
klasa VIII-5, - Prishtinë
Lufta, oh lufta! Fjalë që tingëllon trishtueshëm shumë thellë në shpirt. Po shkruaj diçka për përjetimet e mia gjatë kësaj periudhe derisa në Kosovë tashmë kishte filluar lufta, në Drenicë shumë më herët se në Prishtinë, vendi im i lindjes dhe i rritjes. Po shkruaj përjetimet në pika të shkurtra, sepse po ta shkruaj atë që ndodhi, do të shkruaj disa libra. Papritmas qytetin tonë e kaploi një heshtje, errësirë.
Ne nuk kishim guxim të dilnim as në prag të shtëpisë. Po të dilnim, ndodhte më e keqja; rrahje, keqtrajtime, kidnapime, vrasje e të këqija të skajshme që vetëm armiku serb mund t’i bënte.
U detyruam të mbyllemi në shtëpi. Më herët u mbyllën shkollat, shitoret, tregu, e gjithçka tjetër. Ditën e 24 marsit 1999, dëgjonim lajmet në Televizionin Shqiptar. Pas një kohe Besa Çeku lajmëroi se nga ora 19:55, po skuqej qielli mbi Serbi “Filluan bombardimet e NATO-s kundër një shteti që po bënte krime ndaj njerëzimit, kjo ishte Jugosllavia”. Ne vrapuam dhe menjëherë dolëm jashtë, për një çast qytetin tonë e ndriçoi një dritë e fuqishme...
Ne si fëmijë kishim frikë, por u gëzuam shumë. Kjo ishte një frikë, sidomos për ne fëmijët që nuk dinim mirë se ç'do të thotë fjala “luftë”. “O zot, a thua përse ekziston kjo luftë?”. Zymtësi, qetësi, errësirë, ujë, ajër, që ta zënin frymën.
Kaloi një javë, ne ende në shtëpi të frikësuar, se në çdo moment mund të hynin policia serbe të armatosur në atë stilin e tyre. As gjumin si gjumë nuk e bënim, sepse nga frika binim të flinim me rroba.
Erdhi edhe dita kur policia serbe me forcë na larguan nga shtëpia. Djersë të ftohta ma mbuluan trupin, kur dëgjova britmat e tyre dhe dëbimi i të gjithëve nga Prishtina dhe e gjithë Kosova. Lotët e nënave, vaji i fëmijëve, çdo gjë të therte në zemër. Ajo ditë për ne ishte plot ankth, të rrethuar në të katër anët dhe që të detyrojnë brenda disa minutave na detyruan t'i lëshojmë shtëpitë me dhunë nën tytat e automatikëve të gjakatarëve serbë...