NEXHAT AJDINI
Nexhat Ajdini, Fshati Kuk, komuna e Dragashit, ka nxjerrë mjaft njerëz të shquar e të shkolluar që kanë bërë emër dhe i kanë sjellë fshatit nder e krenari. I tillë është edhe Nexhat Ajdini i lindur më 5 qershor 1964 në lagjen Uglacaj të fshatit Kuk, komuna e Dragashit. Rrjedh nga një familje me traditë bujare dhe liridashëse me një gjendje mesatare ekonomike. Ishte fëmija i tretë i babait Bajram dhe nënës Nimete. Klasën e parë të shkollës fillore e filloj në vitin shkollor 1971/72 në Kuk, komuna e Dragashit, ndërkaq shkollën e mesme e filloi ne vitin 1979/80 në Bresanë, komuna e Dragashit dhe e mbaroi me sukses ne vitin 1982/83 në Prizren. Shkollën e Lartë Pedagogjike e kreu në Gjakovë, kurse në vitin 2013 në sistemin pa shkëputje nga puna të organizuar nga MASHT-i e kreu me sukses në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Edukimit, dega në Prizren në programin fillor dhe mori titullin Bachelor i programit fillor. Në vitin shkollor 2003/2004, filloi punën si arsimtar klasor në shkollën fillore “Muhamet Çami” tani “Samidin Emini” në Kuk, ku gëzon respektin e nxënësve dhe prindërve. Angazhohet edhe në organizimin e aktiviteteve jashtëmësimore të nxënësve të shkollës, në veçanti në seksionin e grupit dramatik. Ka vijuar shumë seminare dhe trajnime të organizuara nga MASHT-it dhe ka fituar titullin e Mësuesit trajner. Nexhati Ajdini të gjithë përvojën e vet të fituar në këto trajnime e aplikon me sukses në punë me nxënësit e shkollës, përkatësisht në punë me nxënës aplikon metodat dhe teknikat e reja mësimore. Më 4 prill të vitit 1999, në Kukës, kyçet në brigadën 128 të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, për ta hequr qafe pushtuesen serb dhe tash e ka statusin e Veteranit të UÇK-së.

Është marrë kryesisht me mbledhjen e fjalëve të urta, mbledhjen e lirikës popullore, gjëegjëzave dhe dromcave për fëmijë. Deri më tash ka botuar: në vitin 1996 “Gur gur bohot mur” pjesën e parë me fjalë të urta opojane nga klubi letrar “Luigj Gurakuqi” në Dragash.

Në vitin 1997, e boton pjesën e dytë me fjalë të urta opojane “Gur gur bohot mur” sërish nga klubi letrar “Luigj Gurakuqi” në Dragash. Pjesën e tretë me fjalë të urta opojane “Gur gur bohot mur” e boton në vitin 2002, nga klubi letrar “Naim Frashëri” i shkollës fillore “Muhamet Çami” Kuk. Në vitin 2017, boton “Etnia kulturore në lirikën e Opojës” dhe në prill të vitit 2020 boton librin “Etnosi popullor në trevën e Opojes” përgatitur për botim nga klubi letrar “Luigj Gurakuqi” në Dragash. Në qershor të vitit 2020 boton monografin “Pesë vite të paharruara-gjenerata 2015/16-2019/2020”. Nga Shoqata Kulturore Ymer Prizreni” në vitin 2020 boton “Fshati Kuk” Monografi. Në muajin korrik boton biografin “Personalitetet e ndritura të fshatit Kuk” nga Shtepia Botuese “Pena” Prizren. Është i martuar dhe ka një vajzë dhe dy djem. Jeton në fshatin Kuk komuna e Dragashit.